Katër orë në kolonë për shkak të protestës së organizuar nga një djalosh

Deputeti i Lëvizjes Guxo, Fatos Geci, ka reaguar me ironi ndaj protestës së mbajtur sot në Prishtinë, ku protestuesit kërkuan shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti dhe shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjes së tij.
Geci, përmes një shënimi në rrjetet sociale, është ankuar se ka mbetur i bllokuar në kolonë trafiku për disa orë, duke ironizuar njëkohësisht organizimin dhe përmasat e protestës.
“Prej orës 11:00 deri tani në orën 15:00 kam qenë i bllokuar në kolonë trafiku, për shkak të protestës masive të organizuar nga një djalosh, i nxitur nga analistët e Shëhollit”, ka shkruar Geci.
Me këtë deklaratë, deputeti i Guxo ka ironizuar protestën, e cila kishte për qëllim kundërshtimin e Qeverisë Kurti dhe kërkesën për largimin e kryeministrit nga pushteti.
Protesta e sotme u mbajt në Prishtinë, ndërsa pjesëmarrja në të ishte dukshëm më e vogël sesa ajo që zakonisht karakterizon tubimet e mëdha politike. Megjithatë, gjatë protestës pati mesazhe të ashpra kundër kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij, ku qytetarë, veteranë të UÇK-së dhe pjesëmarrës të tjerë ngritën shqetësime për gjendjen ekonomike, shtrenjtimin e produkteve, pensionet, shëndetësinë dhe arsimin.
Protestuesit kërkuan përgjegjësi politike nga Qeveria Kurti, ndërsa disa prej tyre shprehën pakënaqësi edhe për rastin e Astrit Deharit dhe zhvillimet e tjera në vend.
Reagimi i Gecit vjen në një kohë kur protesta dhe kundërshtimi ndaj qeverisë janë kthyer në temë diskutimi në skenën politike të Kosovës, ndërsa deklarata e tij ka marrë një dimension ironik ndaj organizimit dhe pjesëmarrjes në protestën e sotme.
UlpianaPress raporton me përgjegjësi. Nëse keni informacion shtesë për këtë temë, shkruajini redaksisë.
Kryeredaktor
Illyrian Space


