PolitikëLajm i funditEkskluzive

Dhjetë vjet pas akuzave për “montimin e rastit Dehari”, Keka e Makolli preken nga riorganizimi i Policisë nën pushtetin e VV-së

Ulpiana Press 2 min lexim 315
Dhjetë vjet pas akuzave për “montimin e rastit Dehari”, Keka e Makolli preken nga riorganizimi i Policisë nën pushtetin e VV-së

Gati dhjetë vjet më parë, Lëvizja Vetëvendosje i akuzonte Luan Kekën dhe Fatos Makollin për montimin e rastit kundër aktivistëve të saj.

Sot, me Vetëvendosjen në pushtet dhe Xhelal Sveçlën ministër të Brendshëm, të dy zyrtarët janë larguar nga pozitat drejtuese në strukturat qendrore të Policisë.

Lëvizjet ndodhën pikërisht në valën e riorganizimeve policore pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila nxori në pah dështime të rënda institucionale.

A po shfrytëzohet kriza e Policisë edhe për t’i larë hesapet e vjetra politike?

Më 3 nëntor, Policia konfirmoi se Luan Keka është caktuar drejtor rajonal në Gjilan, duke u larguar nga drejtimi i Kundërterrorizmit, në nivel vendi.

Ndërkaq, Fatos Makolli, i cili drejtonte Divizionin e Hetimeve, është transferuar në pozitën e këshilltarit në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës.

Për Makollin, ndryshimi është veçanërisht i dukshëm, sepse nga drejtimi i një divizioni me gjashtë drejtori, në një funksion këshillëdhënës.

Akuzat e Vetëvendosjes

Postimi titullohej: “KËTA JANË PËRGJEGJËSIT PËR MONTIMIN E RASTIT NDAJ AKTIVISTËVE”.

Në atë listë, Vetëvendosje i kishte përfshirë Kekën dhe Makollin, duke i akuzuar rëndë për veprimet policore kundër aktivistëve të saj.

Për Fatos Makollin, partia shkruante:

“Ai është drejtues i një njësiti policor i cili ka falsifikuar e montuar prova duke dashur t’i çojë drejt dënimit aktivistët e VETËVENDOSJE!-s për terrorizëm.”

Vetëvendosje pretendonte, pra, se njësiti që drejtonte Makolli kishte falsifikuar prova për t’i dënuar politikisht aktivistët e saj.

Akuzat kundër Luan Kekës ishin po aq të rënda.

“Ky është personi më meritor për këtë të keqe. Ky ka qenë udhëheqës i këtij operacioni të padrejtë.”

Partia pretendonte gjithashtu se Keka kishte lidhje me klanin “Pronto”, miqësi me Ridvan Berishën dhe lidhje familjare me PDK-në.

Ata e lidhnin veprimet e tyre me procesin kundër aktivistëve dhe vdekjen e Astrit Deharit në paraburgim.

Tani, gati një dekadë më vonë, të dy emrat janë prekur nga ndryshimet e mëdha në Policinë e Kosovës.

Riorganizimi erdhi pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm, Gazmend Hoxha, më 30 tetor, dhe pezullimit të 11 policëve lidhur me rastin Zekaj.

Policia i ka arsyetuar ndryshimet me nevojat organizative dhe operacionale, pa paraqitur arsyetime të veçanta për transferimin e Kekës dhe Makollit.

Policia funksionon nën autoritetin e ministrit Sveçla. Ai kishte thënë edhe vet se “policia nuk është një organ i pavarur, por agjenci qeveritare”.

Policia e Kosovës, nuk tregoi se pse u larguan pikërisht tani nga funksionet qendrore dy zyrtarët që Vetëvendosje dikur i akuzonte për montimin e një rasti politik.

Dhe çfarë lidhjeje kanë ndryshimet e tyre me dështimet e institucioneve në mbrojtjen e Arlinda Zekajt.

UlpianaPress raporton me përgjegjësi. Nëse keni informacion shtesë për këtë temë, shkruajini redaksisë.

U

Komentet

0