Policia do t'ua kthejë patentat shoferëve, por paralajmëron gjoba deri në 500 euro

Policia e Kosovës do të nisë kthimin e patentave të shoferëve të mbajtura përkohësisht, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme që kufizon mbajtjen fizike të tyre në maksimum 8 ditë.
Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentës nuk nënkupton heqjen e masës së ndalimit të drejtimit të automjetit.
Sipas njoftimit të Policisë, më 2 nëntor 2026 është pranuar aktgjykimi i Gjykatës Supreme, i datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.
Policia thekson se vendimi nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të shqiptuara më parë dhe as nuk e ndryshon mundësinë e vendosjes së ndalimit të drejtimit të automjeteve.
Ndryshimi ka të bëjë vetëm me kohëzgjatjen e mbajtjes fizike të patentës nga Policia, e cila, sipas ligjit dhe aktgjykimit, nuk mund të kalojë 8 ditë.
Për këtë arsye, Policia do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e dokumenteve të mbajtura përtej afatit ligjor.
“Kthimi fizik i patentave të shoferëve nuk nënkupton se personi ka të drejtë ta drejtojë automjetin gjatë kohëzgjatjes së masës mbrojtëse”, thuhet në njoftim.
Policia paralajmëron se drejtimi i automjetit gjatë periudhës së ndalimit përbën kundërvajtje, për të cilën parashihet gjobë prej 500 eurosh, ndalim i drejtimit për 6 muaj, 5 pikë negative dhe konfiskim i përkohshëm i automjetit.
Kontrollet në trafik do të vazhdojnë, ndërsa respektimi i masave mbrojtëse dhe kufizimeve të tjera ligjore do të verifikohet përmes evidencave përkatëse.
UlpianaPress raporton me përgjegjësi. Nëse keni informacion shtesë për këtë temë, shkruajini redaksisë.
Lexues
Ulpiana Press


